Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, qeverisjes lokale dhe asaj qendrore, dhe ekspertë diskutuan për pjesëmarrjen publike në planifikimin e zhvillimit lokal, gjatë një tryeze shumëpalëshe të mbajtur më 14 qershor në Hotel Grand, Prishtinë. Takimi synonte t’i jepej shtytje shqyrtimit të një prej parimeve të qeverisjes së mirë – angazhimit qytetar në proceset e vendim-marrjes.
“Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje konsiderohet një ndër elementet kryesore të shoqërive qytetare dhe proceseve demokratike,” kanë theksuar organizatorët e tryezës, iniciativë kjo e përbashkët e ATRC-së, UN Habitat-it dhe Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje është po ashtu “mënyrë e efektshme nëpërmjet së cilës qeveria dhe publiku mund të bashkëpunojnë për të adresuar çështje të karakterit zhvillimor siç janë përmirësimi i infrastrukturës lokale, strehimi, zbutja e varfërisë, përmirësimi i ambientit urban, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i standardeve të sigurisë për fëmijët dhe gratë e zonave urbane”.
Përderisa përfaqësuesit e qeverisë i bën thirrje shoqërisë civile të zhvilloj strategji të afrimit të qytetarëve me qeverinë, përfaqësuesit e OJQ-ve u ankuan se shoqëria civile është injoruar nga qeveria.
Igballe Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës sugjeroi themelimin e një standardi të ri për Kosovën për pjesëmarrje të shoqërisë civile në proceset e vendimmarrjes.
Citati:
“Shoqëria civile duhet të shërbej si urë lidhëse ndërmjet vendimmarrësve dhe qytetarëve”.
- Margriet Struijf, Kryesuese e Zyrës së Holandës në Prishtinë
Pas këmbimit të përvojave lidhur me angazhimin e shoqërisë civile në proceset e vendimmarrjes, pjesëmarrësit identifikuan kushtet të cilat duhet të plotësohen për të përmirësuar këtë proces, siç janë: reformimi i sistemit zgjedhor, shtimi i bashkëpunimit ndërmjet OJQ-ve dhe partive politike, hapja e qendrave të informimit për qytetarët në secilën komunë të Kosovës, qytetarë më aktiv, shtimi i besimit të qytetarëve ndaj institucioneve qeverisëse, pjesëmarrja më e madhe e zyrtarëve qeveritar në debatet publike dhe shtrirja e përkrahjes së donatorëve në tërë territorin e Kosovës.
Kjo tryezë është realizuar në bashkëpunim me përfaqësues të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Rreze Duli, Drejtoreshë Ekzekutive në ATRC dhe Ardian Gjini Minister i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor gjatë diskutimit për pjesmarrjen e shoqëris civile në proceset e vendimmarrjes

“Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje konsiderohet një ndër elementet kryesore të shoqërive qytetare dhe proceseve demokratike,” kanë theksuar organizatorët e tryezës

“Shoqëria civile duhet të shërbej si urë lidhëse ndërmjet vendimmarrësve dhe qytetarëve” citoi Margriet Struijf, Kryesuese e Zyrës së Holandës në Prishtinë
|