Gjashtëdhjetë përfaqësues të shoqërisë civile themeluan Koalicionin Kosovar Antikorrupsion gjatë një seminari për transparencë dhe antikorrupsion të organizuar më 1-2 dhjetor në Prizren nga ATRC-ja, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Agjencioni Kosovar për Antikorrupsion.
Sipas organizatorëve, seminari synonte mbledhjen, fuqizimin dhe përkrahjen e shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Pjesëmarrësit po ashtu shqyrtuan një sërë temash që kanë të bëjnë me transparencën dhe antikorrupsionin, siç janë roli i shoqërisë civile në ngritjen e transparencës, llogaridhënies institucionale dhe kapaciteteve për të luftuar korrupsionin; rëndësia e ndërtimit të koalicioneve; avokimi si metodë në luftimin e korrupsionit; dhe hulumtimet e fundit për perceptimet e njerëzve ndaj transparencës në Kosovë.
“Kosova ka nevojë të ketë koalicion të fortë të përbërë nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile në luftimin e korrupsionit. OJQ-të e bashkuara në një koalicion, do të luanin rol të rëndësishëm në komunitet, duke bërë presion dhe shërbyes si ‘watchdog’ të reformave institucionale”, ka theksuar Rreze Duli, drejtoreshë e ATRC-së.
“Për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërmjet organizatave të shoqërisë civile në luftimin e këtij fenomeni që ndikon në zhvillimin e Kosovës, UNDP-ja dhe ATRC-ja organizuan këtë seminar i cili rezultoi me formimin e një koalicioni të ri antikorrupsion të shoqërisë civile”, ka thënë Evliana Berani, përfaqësuese e UNDP-së.
Koalicioni i ri ka zgjedhur këshillin menaxhues dhe ka miratuar aktet normative të Koalicionit Kosovar Antikorrupsion.
Seminari është pjesë e “Iniciativës Kosovare për Transparencë” të UNDP-së, e cila përfshinë aktivitete avokimi, hulumtime dhe trajnime për antikorrupsion dhe transparencë me qëllim të luftimit të korrupsionit në Kosovë.
|