Përfaqësues të qeverisë lokale dhe asaj qendrore, OJQ-ve, mediave dhe sektorit të biznesit në pesë regjionet e Kosovës kanë pasur mundësi të informohen, shqetësimet e tyre të dëgjohen dhe të bëjnë pyetje për procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës, gjatë pesë takimeve publike të organizuara nga ATRC-ja në muajin maj.

Kryeministri Agim Ceku, u sqaroi me 22 maj qytetarëve të Prishtinës procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës
Takimet regjionale në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Ferizaj kanë pasur për qëllim informimin e mëtejmë të opinionit për rezultatin e statusit, takime këto të cilat u organizuan pas 29 tryezave të rrumbullakëta të mbajtura në muajt shkurt dhe mars.
Organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët janë informuar po ashtu edhe për propozimin e Martti Ahtisaarit, të dërguarit të posaçëm të OKB-së për negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Një qytetare shpreh shqetësimin për rezultatin e përcaktimit të statusit |
Politikanë vendor dhe diplomatë të huaj u kanë bërë thirrje qytetarëve të ruajnë paqen dhe stabilitetin në kohën kur përcaktimi i statusit për të ardhmen e Kosovës është në fazën përfundimtare.
“Kemi bërë kompromise. Propozimi i Ahtisaarit është një balancë i mirë. Ai propozon që Kosova të bëhet shtet”, ka deklaruar Kryeministri Agim Çeku në takimin e mbajtur në Prishtinë më 22 maj.
Propozimi përmban mekanizma mbrojtës për të drejtat e minoriteteve çofshin ato individuale ose politike, ka shtuar Çeku.
Kryesuesi i Zyrës Britanike në Kosovë, David Blunt, ka thënë se pakoja e Ahtisaarit është rezultat i kompromisit dhe këndvështrimeve të ndryshme. |
Sipas tij, pakoja paraqet këndvështrimet e shumicës dhe nevojën për mbrojtje të minoriteteve.
Rezoluta e ardhshme për Kosovën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së; roli i Rusisë në procesin e zgjidhjes së statusit; sfidat e implementimit të pakos së Ahtisaarit dhe funksionaliteti i shtetit të Kosovës; dhe procesi i decentralizmit janë çështjet që shqetësonin më së tepërmi pjesëmarrësit.
Për propozimin e plotë të statusit të Kosovës, vizitoni www.unosek.org
|