| |
FËMIJËT NË MBROJTJE TË MJEDISIT
Me temën "Fëmijët në mbrojtje të Mjedisit”, Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve në Avokim -ATRC, ka mbajtur një cikël ligjëratash në disa komuna të Kosovës siç janë: Fushë Kosova, Dragashi, Novobërda, Mitrovica, Leposaviqi, Podujeva dhe Gjilani. Ligjëratat janë mbajtur me nxënës të klasave të pesta të disa shkollave fillore te komunave të cekura më lart.

Në këto ligjërata ligjëruan ekspertë mjedisorë të cilët u përqendruan kryesisht në ndotjet e komponentëve kryesore të natyrës, në burimet e këtyre ndotjeve dhe mundësitë që fëmijët mund të kontribuojnë në parandalimin e tyre dhe mbrojtjen e mjedisit. Gjatë këtyre ligjëratave, nxënësit paraqitën shqetësimet për shkak të moskujdesit adekuat ndaj tij si dhe interesimet për ruajtjen e mjedisit.

Leart Tytyri, nxënës i klasës së pestë në Shkollën Fillore “ULINA” të fshatit Kosavë - Komuna e Dragashit, ishte i shqetësuar me vonesën e borës në fshatin e tij. Edhe pse në moshë aq të re, Learti ka kuptuar se efektet e ngrohjes globale, këtij kërcënuesi serioz të mjedisit, janë evidente edhe në fshatin e tij. “Bora në fshatin tim ka filluar të vonohet. Para ngrohjes globale, bora binte shumë më herët në fshat”.
Ndërsa bashkëmoshatarja e Leartit, Blerta Ahmeti, e cila vijon klasën e pestë në Shkollën Fillore “ASDRENI” të Llabjanit, Komuna e Novobërdës, ishte e shqetësuar për vajzën e tezës së saj - bashkëmoshatare, e cila jeton në Obiliq. “Ajo sëmuret shumë shpesh për shkak të ambientit të ndotur në Obiliq, ndërsa unë shumë rrallë sepse në fshatin tim ajri është shumë i më pastër sesa në Obiliq”- thotë Blerta.
Cikli i dytë i ligjëratave për vetëdijesimin e fëmijëve për mbrojtjen e mjedisit, do të vazhdojë edhe në 23 komunat tjera në gjysmë-vjetorin e dytë (2010), dhe po mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
|