| |
PENSIONSTET KERKOJNE LIGJ QE GARANTON MIREQENIE PER PENSIONISTET E TANISHEM DHE TE ARDHSHEM TE KOSOVES
Përfaqësues të shoqatave dhe sindikatave të pensionistëve të Kosovës; shoqërisë civilë; Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale; Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës; dhe ekspertë ligjor shqyrtuan draft ligjin “Sigurimi Pensional dhe Invalidor” gjatë një diskutimi publik të organizuar nga ATRC-ja më 10 korrik në restaurant/galerinë “Hani i 2 Robertëve”, Prishtinë.
Pjesëmarrësit synonin përpilimin e rekomandimeve konkrete për këtë draft ligj me qëllim që ai të jetë gjithëpërfshirës.

Ilaz Kurteshi, Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të
Kosovës
deklaroi se përmbajtja e këtij draft ligji
është gjithëpërfshirëse dhe përfshinë të gjitha
çështjet me rëndësi për pensionistët
Gjatë takimit, përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës, Shoqatës së Invalidëve të Punës, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Shoqatës së Minatorëve Pensionistë dhe Invalid të Kosovës paraqitën rekomandimet dhe vërejtjet e tyre për draft ligjin, i cili deri më 15 gusht do t’i dërgohet komisionit ndërministror i angazhuar në harmonizimin e propozimeve për këtë draft ligj, para se ai t’i dorëzohet qeverisë.
Pjesëmarrësit përsëritën kërkesën e tyre për zgjidhje të menjëhershme të gjendjes së pensionistëve.
Ilaz Kurteshi, Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës deklaroi se përmbajtja e këtij draft ligji është gjithëpërfshirëse dhe përfshinë të gjitha çështjet me rëndësi për pensionistët. “Mirëpo, vlera e ligjit varet nga implementimi i tij’, ka thënë Kurteshi.
Naim Hoda nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale pohoi se kërkesat e Shoqatës së Pensionistëve ndikuan në fillimin e diskutimeve publike, me qëllim që draft ligji të jetë më kualitativ.
Ky dokument ligjor është hartuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Gjatë qershorit, ATRC-ja në bashkëpunim me shtatë OJQ të tjera lokale ka organizuar diskutime rajonale publike për këtë çështje në shtatë qytete: Gjilan, Ferizaj, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Prishtinë dhe Pejë. Takimet janë përkrahur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung.
|