|
NËNSHKRUHET MARRËVESHJA E MIRËKUPTIMIT PËR KOALICIONIN AVOKUES „AMBASADORËT E MJEDISIT“
“Ambasadorët Regjionalë të Ambientit - për një mjedis më ndryshe” - u quajt Tryeza e Rrumbullakët, e mbajtur më 7-8 maj, në Prishtinë, organizuar nga Advocacy Training and Resource Center, në bashkëpunim me Regional Environment Ambassadors – REA.
Qeveritarë, përfaqësues të Shoqërisë Civile, të partive politike, bizneseve të ndryshme kosovare, etj. ishin të pranishëm në këtë konferencë, me ç’rast diskutuan për sfidat dhe problemet të cilat ndikojnë në situatën mjedisore në Kosovë, si dhe u shqyrtuan mundësitë që në të ardhmen të organizohen aktivitete të përbashkëta ndër-sektoriale që do të orientohen drejt përmirësimit të situatës në mjedis në Kosovë dhe regjion.
E rëndësishme nga kjo tryezë konsiderohet nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit për Koalicionin Avokues „ Ambasadorët e Mjedisit“ e cila garanton promovimin dhe avokimin e çështjeve mjedisore, duke rritur bashkëpunim në nivel lokal ndër-sektorial, si dhe shkëmbimin e përvojave në politikat mjedisore në tërë territorin e Kosovës. Ky projekt i cili do të zgjasë dy vjet - përkrahet nga Ambasada Holandeze. |