| |
QASJA NE DOKUMENTE ZYRTARE ENDE E KUFIZUAR
ATRC dhe IREX/ Programi Kosovar për Asistencë të Mediave organizoi tryezë të rrumbullakët më 7 shkurt në zyrat e ATRC-së, ku qeveritarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe mediave u mblodhën të diskutojnë çështje që kanë të bëjnë me implementimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare.
Kushtrim Shaipi nga Instituti Kosovar për Hulumtime dhe Dokumentim (KODI) moderoi këtë tryezë, e cila filloi me debat lidhur me zhvillimin e mekanizmave për implementimin e Ligjit. Edhe pse tri vjet kanë kaluar që nga miratimi i Ligjit nga Kuvendi i Kosovës, aplikimi i tij po vonon.

Kushtrim Shaipi nga Instituti Kosovar për Hulumtime
dhe Dokumentim (KODI) moderoi këtë tryezë, e cila filloi
me debat lidhur me zhvillimin e mekanizmave
për implementimin e Ligjit
Panelistët e takimit ishin Besim Kajtazi - Ministria e Shërbimeve Publike, Jusuf Osmani - Arkivi Kombëtar, Berat Buzhala - Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, dhe Naim Krasniqi - Zyra e Ombudspersonit, rajoni i Mitrovicës.
Besim Kajtazi shpjegoi për ndryshimet e bëra në draft Urdhrin Administrativ për implementimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare, pas pranimit të komenteve nga organizata dhe institucione të tjera.
IREX/USAID, Zyra e Ombudspersonit, Komisioni i Pavarur i Mediave, OSBE-ja dhe Arkivi Kombëtar i kanë dërguar komentet e tyre në Ministrinë e Shërbimeve Publike pas një debati publik të organizuar nga kjo ministri më 8 dhjetor për të diskutuar draft Urdhrin Administrativ.
“Komentet që i kemi marrë kanë ndihmuar shumë në qartësimin e draft Urdhrit Administrativ të Ligjit për Qasje në Dokumente Zyrtare”, ka deklaruar Kajtazi.
Me gjithë përmirësimin e draft Urdhrit Administrativ, përfaqësuesit e mediave dhe OJQ-ve shprehën shqetësimin e tyre për kompetencat që ky ligj i jep institucionit publik për dokumentet e klasifikuara si të ndjeshme.
Rrethanat aktuale në Kosovë ndalojnë qasjen e gazetarëve në informata, theksoi Berat Buzhala nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist.
Shumica e pjesëmarrësve veçuan se edhe pse ligji është miratuar, implementimi i tij është i kufizuar.
|